Në datat 12–16 janar 2026, në kuadër të projektit “Të Dhëna Hapësinore për Veprime për Klimën” (Space Data for Climate Action) Shoqata Flag Pine organizoi vizitën studimore të zhvilluar në Split, Kroaci. Aktiviteti u organizua në partneritet me Zdravi grad dhe mblodhi së bashku përfaqësues nga Flag Pine, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Universiteti i Vlorës, me synimin për të forcuar kapacitetet në përdorimin e teknologjive hapësinore për monitorimin e ndryshimeve klimatike dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit.
- Shkëmbim përvojash dhe zhvillim kapacitetesh. Programi i vizitës kombinoi sesione teorike, trajnime praktike dhe takime me institucione të specializuara, duke u ofruar pjesëmarrësve njohuri të avancuara mbi përdorimin e të dhënave satelitore dhe teknologjive moderne në mbështetje të veprimeve për klimën.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me:
- Metodat për përdorimin e të dhënave hapësinore në monitorimin e ndryshimeve klimatike dhe mjedisore në nivel rajonal.
- Platformat dhe sistemet për raportimin dhe analizimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
- Mundësitë e financimit përmes programeve të Bashkimit Europian dhe projekteve ndërkombëtare në fushën e klimës, biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Një komponent i rëndësishëm i programit ishte prezantimi praktik i SPACE STEM, një program edukativ i zbatuar me sukses në shkollat e Splitit, i cili do të adaptohet dhe zbatohet edhe në shkollat e Qarkut të Vlorës, duke kontribuar në rritjen e njohurive të të rinjve mbi teknologjitë hapësinore dhe ndryshimet klimatike.
- Trajnim mbi përdorimin e platformës Copernicus Browser
Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua programit europian Copernicus, një nga iniciativat më të rëndësishme të Bashkimit Europian për monitorimin e Tokës përmes të dhënave satelitore.
Pjesëmarrësit morën trajnim praktik mbi përdorimin e Copernicus Browser, platformës që mundëson vizualizimin dhe analizimin e të dhënave satelitore. Gjatë sesioneve u trajtuan:
- kërkimi dhe përzgjedhja e imazheve satelitore;
- përdorimi i shtresave tematike;
- analiza krahasuese e të dhënave në periudha të ndryshme kohore;
- shkarkimi dhe përdorimi i të dhënave për kërkime shkencore, projekte mjedisore dhe aktivitete edukative.
Vëmendje e veçantë iu kushtua monitorimit të ndryshimeve në mbulesën tokësore, gjendjes së vegjetacionit, burimeve ujore, ekosistemeve natyrore dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Përmes ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi konkrete në interpretimin dhe përdorimin e të dhënave satelitore në planifikimin dhe zbatimin e projekteve mjedisore.
- Vizitë në PAP/RAC
Në kuadër të programit u zhvillua edhe një vizitë në PAP/RAC (Priority Actions Programme/Regional Activity Centre) në Split, ku pjesëmarrësit u njohën me praktikat dhe teknologjitë e avancuara që përdoren për monitorimin e ekosistemeve bregdetare, vlerësimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe hartimin e strategjive të adaptimit në zonat bregdetare të Mesdheut.
- Forcimi i bashkëpunimit rajonal
Vizita studimore kontribuoi ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve, në shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit të teknologjive inovative për monitorimin e ndryshimeve klimatike.
Mbledhja dhe analiza e të dhënave satelitore përfaqëson një nga instrumentet kryesore të Bashkimit Europian për monitorimin e mjedisit dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna. Njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë kësaj vizite do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e aktiviteteve të projektit në Shqipëri dhe për forcimin e veprimeve lokale për klimën.
Projekti “Të Dhëna Hapësinore për Veprime për Klimën” zbatohet nga Shoqata Flag Pine në partneritet me Zdravi grad, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë.